Refugjatët në kufirin verior të Maqedonisë, në kushte të vështira për jetesë

ID:17495
Published 10 Janar 2017


Në qendrën tranzitore të refugjatëve në kufirin verior të Maqedonisë, në Tabanovcë, rreth 84 refugjatë, prej të cilëve gjysma janë fëmijë, vazhdojnë të mbeten të bllokuar duke mos ditur se çfarë do të ndodh me fatin e tyre në të ardhmen.

Refugjatët të cilët destinacion të shpresës së tyre i kanë vendet evropiane, për Anadolu Agency (AA) theksojnë se në këto ditë të ftohta të dimrit është me të vërtetë vështirë të jetohet nëpër kontejnerët e vendosur në kamp, të cilët siç thonë refugjatët shpesh ndodh të mbeten pa rrymë elektrike. Nëpër këto kontejnerë më së shumti mund të qëndrojnë katër persona, ndërsa në to ka ngrohje dhe drita.

Organizatat humanitare dhe Kryqi i Kuq i Maqedonisë me kapacitetet e tyre mundohen t’u plotësojnë kushtet themelore për jetesë, mirëpo refugjatët thonë se ajo nuk mjafton dhe ndodh që të mbeten pa ujë të ngrohtë dhe pa ushqim të mjaftueshëm.

Siriani Muhammad Asim tashmë prej 11 muajsh jeton në këtë qendër tranzitore bashkë me familjen e tij pesë anëtarëshe. Ai thotë se nuk e di arsyen se pse nuk i lejohet të vazhdojë udhëtimin drejt vendeve evropiane, ndërsa shton se më mirë të kthehet prapa në Greqi apo Turqi, se sa të jetojë në këto kushte të vështira për jetesë.

“Sa më gjatë që qëndrojmë në Tabanovcë, aq më tepër vështirësohen kushtet për jetesë, veçanërisht me nipin tonë të vogël në këto temperatura të ulta që arrijnë edhe deri në -20 gradë celsius. Ndonjëherë frikësohemi edhe mos të vdesim, ndodh të kemi problem me rrymën elektrike dhe nuk kemi as me çfarë të ngrohemi. Nuk e di si ta emëroj këtë vend, por mund të them se është si burg”, shprehet Muhameti për AA.

Ndërkaq, Ibrahimi Salih nga Iraku i cili tashmë tre muaj jeton në këtë qendër tranzitore tha: “Ne këtu gjithmonë kemi probleme. Kemi probleme me rrymën elektrike, nuk kemi ujë të ngrohtë për të larë teshat, ndërsa uji i banjos ka ngrirë tërësisht. Unë nuk dua të qëndroj këtu, dua të largohem nga ky vend”.

Ministri i Brendshëm viziton fëmijët në qendrën tranzitore në Tabanovcë

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Agim Nuhiu, gjatë ditës së sotme vizitoi fëmijët refugjatë në qendrën tranzitore në Tabanovcë, si dhe u ndau dhurata të ndryshme atyre. Nuhiu për AA theksoi se si udhëheqës i këtij institucioni, përveç se me menaxhimin e krizës së refugjatëve që vijnë nga Lindja e Mesme, ndjehet edhe i detyruar të respektojë dinjitetin e të gjithë këtyre qytetarëve, pavarësisht se në çfarë rrethanash dhe situatash ndodhen aktualisht.

I pyetur për situatën dhe kushtet e refugjatëve të bllokuar në territorin e Maqedonisë, Nuhiu tha se nuk ka ardhur të vizitojë qendrën tranzitore për inspektim se në çfarë kushte jetojnë, por ka ardhur t’u ofrojë fëmijëve siç theksoi ai, një dashuri momenti.

“Prandaj kam ardhur këtu që t’i vizitojë fëmijët në këtë kamp në Tabanovcë, që të përpiqem që t’u ofrojë një kënaqësi momenti gjatë kësaj dite”, tha Nuhiu për AA.

Ndryshe, në tërë territorin e Maqedonisë qëndrojnë të bllokuar rreth 220 refugjatë të regjistruar me dokumente, prej të cilëve përveç në Tabanovcë, 88 janë në qendrën tranzitore në kufirin jugor në Gjevgjeli, 31 në qendrën për azil në Vizbegovë, si dhe 15 në qendrën e pranimit të refugjatëve në Gazi Babë të Shkupit.

Nga UNHCR thonë se kushtet në qendrat tranzitore në Tabanovcë dhe në Gjevgjeli janë për qëndrim për vetëm disa orësh dhe janë të mira për këtë, por nuk janë qendra të përshtatshme për qëndrim më të gjatë. UNHCR thekson se këta njerëz kanë nevojë për liri më të madhe të lëvizshmërisë dhe kushte të përshtatshme për periudha më të gjatë.


 
 

Share on Facebook Share on Twitter